Si t’u riktheni shkëlqimin bizhuterive në kushte shtëpie


January 12, 2022

Gjëja e parë që na tërheq te bizhuteritë kur i shohim në vitrinë është pa dyshim shkëlqimi. Por, fatkeqësisht shkëlqimi nuk zgjat shumë, edhe pse mund të kujdesemi vazhdimisht për bizhuteritë.

Djersa, uji, detergjentët, parfumet, të gjitha këto ndikojnë në zbehjen e ngjyrës së argjendit apo floririt. Nuk është nevoja t’i çoni në argjendari sa herë dëshironi t’u riktheni shkëlqimin bizhuterive, pasi ka disa mënyra pastrimi në kushtet e shtëpisë.

Një mënyrë e thjeshtë e larjes së tyre është me sodë buke. Në një enë me pak ujë të ngrohtë hidhni një lugë sodë buke dhe lërini bizhuteritë e argjendit për disa minuta dhe më pas fshijini me një peshqir të thatë.

Mund ta përsërisni veprimin nëse rezultatet nuk janë ato që prisni. Një mënyrë tjetër është me pastë dhëmbësh. Vendosni pak pastë në një furçë dhëmbësh dhe fërkoni bizhuteritë për disa minuta. Më pas shpëlajini me ujë të bollshëm.

Po ashtu, një mënyrë efikase dhe shumë e përdorur është larja e tyre me detergjent enësh dhe kripë. Përziejini së bashku këta dy përbërës dhe lërini bizhuteritë për disa minuta. Pasi t’i nxirrni, shpëlajini me ujë dhe bizhuteritë do të duken si të reja.