“ From Venice to Oscars ” 2 Luanët e Jonid Jorgjit rikthehen në kinema


October 13, 2021

Skenaristi dhe regjisori, Jonid Jorgji si dhe producentja Elkjana Gjipali ishin të ftuar në programin “Play Everyday” në Play Radio Albania për të folur mbi filmin shqiptar “Dy luanë drejt Venecias”, i cili krahas duartrokitjeve të publikut në qershor, kur pati premierën, mori edhe vlerësimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e përzgjedhur me shumicë votash si kandidaturë të Shqipërisë për Oscar.

1.PNG (739 KB)

Komedia dramatike, me nuanca humori, një prodhim nga shtëpia kinematografike “EJF Film Production”, ku në role kryesore shfaqen aktorët e mirënjohur Vasjan Lami dhe Kastriot Çaushi, ka në qendër dy kineastë shqiptarë rreth të 60-tave, të cilët janë përzgjedhur të konkurojnë në Festivalin e Venecias me filmin e tyre të fundit. Gjatë rrugës me makinë nga Bari për në Venecia, ata takohen me dy aktore të filmave për të rritur, artistet e huaja Alisa Huzar dhe Natalia De Maria, çka do të krijojë situata dhe ngjarje të papritura për dy luanët shqiptarë.

Aventura e kineastëve në qytetin italian mbyllet me një të papritur për njërin prej tyre, por a ishte e papritur përzgjedhja nga QKK për Jorgjin, i cili në këtë film ka dy role me mjaft peshë si skenarist dhe regjisor?

 “Qëllimi im kryesor ka qenë të bëja një film që të shikohej sa më shumë dhe të pëlqehej sa më shumë. Përzgjedhja nga QKK me të vërtetë na lumturoi por nuk është diçka që na çoi në Oscar menjëherë pasi ka edhe disa etapa të tjera për të kaluar në filtra derisa të arrijmë në nominimet. Por, na lumturoi sepse na vlerësoi ne si autorë por edhe punën që kemi bërë dhe gjithë stafi mori sodisfaksion. Unë mbetem tek ajo që nuk janë festivalet ato që i rrisin vlerën ose e bëjnë filmin të suksesshëm. Janë opinionet, sa njerëzit e pëlqejnë dhe sa e shikojnë.”, shprehet Jonidi.

Për të gjithë artdashësit dhe dashamirësit e filmit që nuk patën mundësinë ta shijonin “Dy luanë drejt Venecias” në amfiteatrin e Tiranës gjatë premierës, producentja Elkjana dha lajmin e mirë se: “Do të vijë për publikun e Tiranës më 6 janar në kinematë Cineplexx. Sot e konfirmuam dhe është ekskluzive për Play Radio.”

Krahas Tiranës, siç zbuloi Elkjana Gjipali po punohet që filmi të ketë një tur edhe në qytet të tjera të Shqipërisë; Vlorë dhe Gjirokastër ku janë hapur dy kinema të reja, si dhe përtej kufijve, në Prishtinë, Pragë, Zvicër, Gjermani, kryesisht ku është diaspora shqiptare. Ndërsa së fundmi “Dy luanë drejt Venecias” është shfaqur në dy festivale, në Egjipt dhe Izmir.

Një projekt i xhiruar mes Italisë dhe Shqipërisë, në të cilin ashtu si në film edhe në jetën reale ka patur disa të papritura për produksionin, që Jonidi dhe Elkjana i ndanë me dëgjuesit e programit “Play Everyday”. Më e veçanta është ajo e ndodhur në Venecia, ku po zhvilloheshin skenat e filmit shqiptar fare pranë tapetit të kuq, në të cilin po parakalonin yjet me famë ndërkombëtare si Tom Cruise.

“Pak të papritura na kanë ndodhur në fakt. Një nga skenat që ishte goxha e vështirë dhe goxha që patëm deri diku probleme ishte skena e balonës. Do ngrinim një balonë në ajër në zonën e Bisht Pallës por atë ditë frynte shumë erë dhe e bënte thuajse të pamundur, sepse nuk mund ta kontrolloje dot. Personat që merreshin me balonën, për fat të mirë ishin shumë të përgjegjshëm dhe improvizuan një ngritje të vogël derisa arritëm ta xhirojmë, por na u deshën dy ditë. Një tjetër rast ka qenë teksa xhironim në amfiteatrin e Durrësit, ku dy aktorët kishin një skenë gjysmë dashurie që do reflektoheshin siluetat e tyre në muret e amfiteatrit. Skena është xhiruar pa gdhirë, në orën 5 të mëngjesit dhe njerëzit që kalonin në atë orë shikonin çuditshëm. Skena në të cilën Vasjani është në Venecia përkojnë me ditët e festivalit dhe ngjitur me ne po parakalonin aktorët e njohur të Hollywood, ishte Tom Cruise”, tregoi Jonidi.

3.PNG (951 KB)

“Dy luanë drejt Venecias” ka bërë bashkë 5 produksione ndërkombëtare, krahas asaj shqiptare marrin pjesë edhe produksione italiane, çeke, angleze dhe greke.

Lista e plotë e aktorëve; Vasjan Lami, Kastriot Çaushi, Alisa Huzar, Natalia De Maria, Luli Hoxha, Marjana Kondi, Albana Sançolli, Armand Xhuli, Alessandra Bonarotta, Dario Frappampina, Erjon Hodo, Grei Dajlanaj, Arjeta Dhima, Alfred Zeneli, Marjetina Gjoni, Alesia Xhemalaj, Luan Aliu, Kliti Roshi, Vilson Gjonçaj dhe Roerd Toçe.